Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel,pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe menaxhimin e kufirit, ka thënë se Qeveria gjermane përshëndet përparimin në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Të dyja palët janë pajtuar për menaxhimin e integruar të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë dhe për përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale. Po ashtu janë larguar barrikadat në pjesën e Serbisë, të cilat kishin penguar hyrjen për në Kosovë. Qarkullimi i lirë i EULEX-it në ditët e shkuara është përmirësuar. Pozitive është po ashtu që Komisioni Evropian shumë shpejt do të fillojë një studim të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën. Ne shpresojmë që shumë shpejt të nënshkruhet edhe marrëdhëniet kontraktuale mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Merkel, ndërsa transmeton Kosovapress.
Sipas tij, qëllimi duhet të jetë që të dy vendet të përmbushin reformat e nevojshme, për t’iu afruar Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë të normalizojnë edhe marrëdhëniet mes tyre.