LDK e AAK kundër nismave të VV

Lëvizja “Vetëvendosje” duket se nuk ka arritur të mbledhë 40 nënshkrimet e deputetëve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, ku do të diskutohej për çështjen e fusnotës. Mirëpo, pas dështimit të përpjekjes së mbledhjes së nënshkrimeve të deputetëve, kjo lëvizje ka filluar grumbullimin e tyre nga qytetarët e Kosovës.
Siç raporton Kosovapress, dy partitë tjera opozitare, LDK dhe AAK, kanë konfirmuar edhe një herë qëndrimin e tyre se nuk do ta mbështesin nismën e “Vetëvendosje” për seancë të jashtëzakonshme dhe as protestën e paralajmëruar për të hënën.
Besnik Tahiri ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është kundër një debati, i cili vetëm do të diskutonte dhe do të fuqizonte me një votim këtë fusnotë, e cila do të ishte në dëm të Kosovës. Ai ka thënë, po ashtu, se AAK nuk do ta mbështesë as protestën e paralajmëruar nga “Vetëvendosje” ditën e hënë, porse, sipas tij AAK, do të bëjë mos që qeverisë aktuale t’i vije fundi sa më parë.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është kundër nismës së “Vetëvendosje” për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme. Armend Zemaj, nga kjo parti, ka theksuar se LDK vazhdon të qëndrojë prapa qëndrimit se Kosova është shtet sovran i pavarur dhe demokratik dhe se Republika e Kosovës është terminologji juridike, kushtetuese dhe politike që përfaqëson identitetin e shtet bërjes. Ndërsa sa i përket reflektimit tjetër me miq ndërkombëtarë, sipas tij, mbetët i fuqishëm, duke përsëritur thënien e zakonshme të liderëve të LDK-së, në miqësi të përhershëm me SHBA-të dhe me të gjitha vendet evropiane dhe veri-atlantike.