Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, ka konfirmuar se në Gjilan janë arrestuar, siç ka thënë, katër pjesëtarë të MPB-së serbe dhe një person tjetër, ndërsa ka thënë se bëhet fjalë për provokim të Prishtinës dhe ka paralajmëruar “masa reciprociteti”, nëse situata nuk sqarohet brenda 48 orësh.
Sipas Tanjug, ai ka theksuar se të arrestuarit jetojnë në Gjilan, ndërsa punojnë në Vranjë, kurse në kontekst të masave të reciprocitetit, ministri serb ka përmendur pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët jetojnë në Rashkë, Nish dhe Vranjë, ndërsa kanë marrë pjesë, sipas fjalëve të tij, në aksionet së marrjes së pikëkalimeve kufitare.
Dacic ka përkujtuar se në vitin 1999, në bazë të Rezolutës 1244 dhe marrëveshjes së Kumanovës, drejtoritë policore serbe janë zhvendosur nga Kosova dhe kësisoj, p.sh. drejtoria e policisë së Gjilanit gjendet në Vranjë. E njëjta situatë- ka thënë Dacic, është edhe në Policinë e Kosovës, ku ka serbë të cilët udhëtojnë nga Rashka, Nishi dhe Vranja për të punuar në PK.
Aksionin e ROSU, Dacic e ka vlerësuar si “një tjetër provokim të autoriteteve të Prishtinës, që mund të destabilizojë gjithçka që është arritur në Bruksel”.
Ndryshe, është njoftuar se pjesëtarë të njësive speciale të policisë së Kosovës- ROSU, kanë arrestuar në Gjilan gjashtë policë të kësaj komune që punojnë në MPB të Serbisë. Të arrestuarit kanë punuar në dhënien e pasaportave dhe të patentë shoferit në të ashtuquajturin drejtori të policisë së Gjilanit e cila nga viti 1999 është transferuar në Vranjë.