Ivanovic kërkon anulimin e marrëveshjeve

Kryetari i të ashtuquajturit Këshill Kombëtar serb në veri të Kosovës, Milan Ivanovic, u ka bërë thirrje deputetëve opozitarë në Kuvendin e Serbisë, që të kërkojnë me urgjencë mbajtjen e një seance, për t’i hedhur poshtë të gjitha marrëveshjet që ka arritur në Bruksel shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanovic.

Në një konferencë për media, Ivanovic ka vlerësuar se të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet Beograd – Prishtinë janë të dëmshme për serbët që jetojnë në Kosovë.
“Udhëheqja aktuale shtetërore, edhe me çmimin e humbjes së sovranitetit, shkeljes dhe thyerjes së Kushtetutës, po bënë çdo gjë për të mbetur në pushtet”, ka thënë ai, ndërsa citon Evropa e Lirë.
Ivanovic ka pohuar se organi që ai drejton “nuk i pranon marrëveshjet e njëanshme dhe ashtu siç do t’i kundërshtojë institucionet e Kosovës me të gjitha mjetet demokratike, këtë do ta bëjë edhe me marrëveshjet e arritura”.