Gjyqtari i Misionit të EULEX-it, Torre Tomasson, do të vazhdojë të jetë kryetar i trupit gjykues në procesin gjyqësor “Bllaca 2”.
Ky proces, i dyti me radhë që ndërlidhet me emrin e Nazim Bllacës, pritet të rifillojë të hënën e javës që vjen, raporton “Express”. Por, të qenit kryetar i trupit gjykues i gjyqtarit Tomasson është kontestuar nga mbrojtja qysh në seancën e parë të shqyrtimit kryesor të rastit.
Mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar përjashtimin e këtij gjyqtari nga përbërja e trupit gjykues me arsyetimin se i njëjti ishte anëtar i panelit edhe në rastin “Bllaca 1”, ku njëri nga të akuzuarit, Fahredin Gashi, u dënua me 18 vjet burg.
Mirëpo, këtë kërkesë të mbrojtjes e ka refuzuar Asambleja e Gjyqtarëve të EULEX-it, që u ka kthyer përgjigje negative avokatëve të palës mbrojtëse.
Këtë përgjigje negative e konfirmon për “Express” edhe një nga zëdhënësit e EULEX-it.
“EULEX-i e ka refuzuar kërkesën e ekipit mbrojtës në rastin ‘Bllaca 2”, tha për Express zëdhënësi Blerim Krasniqi.
Përveç tij, këtë lajm negativ për palën mbrojtëse e konfirmon edhe avokati i njërit nga të akuzuarit në këtë rast.
Ramiz Krasniqi, avokat i të akuzuarit Driton Hajdari, tha se përgjigja nga EULEX-i për largimin e gjyqtarit Torre Tomasson nga procesi “Bllaca 2” është negative.
Në seancën e 3 shkurtit, avokatët kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Tomasson.
“Paanshmëria është vënë në pikëpyetje sepse ju, kryetar, keni qenë anëtar i panelit në rastin e një procesi tjetër ku është dënuar Fahredin Gashi”, kishte thënë në seancë avokati Haxhi Millaku.
Edhe avokati Tahir Rrecaj - që mbron të akuzuarin Fahredin Gashi - konsideron se aktgjykimi i parë është mbështetur në dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues, që në këtë rast është Nazim Bllaca.
“Nëse atëherë dëshmitë i keni pranuar si të besueshme, e njëjta do të përsëritet edhe në këtë proces”, ka thënë ai.
Ekipi mbrojtës kërkesën e kishte bërë duke u mbështetur në Ligjin për Procedurë Penale të Kosovës. Në një nen të këtij ligji thuhet se nëse një gjykatës ka qenë anëtar ose gjykatës i ndonjë procesi gjyqësor, që është në procedurë të ankesës, detyrohet ta ndërpresë seancën.
Një proces tjetër ku personazh kryesor është Nazim Bllaca ka filluar në Prishtinë.
Bashkë me Fahredin Gashin në këtë proces akuzohen edhe Shaban Syla, Bekim Syla, Driton Hajdari, Shpresim Uka dhe Sadik Abazi. Nazim Bllaca ka deklaruar edhe publikisht se si anëtar i SHIK-ut së bashku me të akuzuarit kanë vrarë Ibush Kllokoqin si dhe kanë tentuar të vrasin Adem Salihajn, ish kryetarin e Ferizajt dhe një person tjetër me emrin Ismet Arifi.
Në një proces tjetër në tetor të vitit të kaluar, Fahredin Gashi është dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e Sali Gashit nga Varigovci i Lipjanit.