Danaj: Me fusnotë krijohet konfederata Serbi-Kosovë!

Publicisti dhe drejtuesi i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, ka denoncuar Marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit , duke e vlerësuar si “tërësisht antishqiptare”.

“Kjo Marrëveshje bëhet në momentin kur kombi shqiptar përgatitet të festojë 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë natyrale. Me këtë marrëveshje fituan serbët, fitoi nacionalizmi serb dhe ata që humbën janë shqiptarët. Me këtë marrëveshje, Kosova u largua më shumë nga Shqipëria dhe u afrua më shumë me Serbinë. Me këtë marrëveshje Serbia dhe Kosova u lidhën edhe me fusnotë, përderisa pranohet rezoluta 1244 dhe mendimi i GJND. Me këtë marrëveshje u hodhën themelet e Konfederatës së ardhshme Serbi-Kosovë”, ka thënë Danaj për “Ina”.
Sipas tij, me këtë marrëveshje fitoi teza e Boris Tadicit për të aplikuar në marrëdhëniet me Kosovën modelin e dy Gjermanive, modelin e Irlandës së Veriut etj.
“Me këtë marrëveshje të përshëndetur me një nxitim të madh nga Brukseli proserb, nga politikanët më të lartë të Tiranës dhe Prishtinës, hapet një vatër e re krize para së cilës në të ardhmen kriza aktuale e BE-së do të jetë një lojë fëmijësh. Me këtë Marrëveshje Ballkani u rikthye si Fuçi Baruti”.
Sipas tij, pas kësaj situate, shqiptarët në Kosovë do të duhet të kërkojnë referendum për të shfaqur qëndrimin e tyre.