‘Serbia nuk e ka njohur Kosovën’

Me marrëveshjen e arritur në Bruksel, Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por Rezolutës 1244 i ka dhënë jetë të re dhe konfirmim në skenën ndërkombëtare- ka thënë shefi i ekipit negociues serb, Borislav Stefanovic.

Në një konferencë për media, ai është shprehur i kënaqur me arritjet në dialog, ndërsa ka përsëritur se marrëveshjet e arritura ruajnë Kushtetutën dhe sovranitetin e Serbisë dhe se Rezoluta 1244 vetëm sa është forcuar në skenën ndërkombëtare.
“Qëndrimet që dëgjohen nga Washingtoni dhe Prishtina se kjo marrëveshje do të ndihmojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk janë të vërteta”, ka thënë Stefanovic.
Ai ka theksuar se opinioni i GJND-së ka treguar se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por, sipas tij, ai opinion nuk ka konfirmuar se shqiptarët kanë pasur të drejtë të ndahen dhe se kanë mundur ta realizojnë atë.
“Kosova nuk ka marrë konfirmim se mund të jetë e pavarur, por vetëm se mund të marrë një letër nga një grup njerëzish që janë mbledhur aty. Ata, megjithatë, nuk e shohin në këtë mënyrë, por unë e kuptoj këtë”, ka shtuar Stefanovic.