Manekinia e njohur për kostumet e larjes, Simone Farrow, e akuzuar për organizim të një rrjeti të kontrabandës me drogë, është arrestuar në Australi, vetëm një muaj pasi ishte liruar me garanci dhe kishte ikur.
Dikur fytyra mbrojtëse e prodhuesit të bikinive, “Ed Hardy”, Farrow kishte përdorur rreth 19 nofka të ndryshme për shpërndarjen e metamfetaminës përmes Fedex apo shërbimit postar- ka raportuar Agjencia për luftë ndaj narkotikëve dhe policia australiane.
Pas arrestimit, manekinia ka mohuar të gjitha akuzuat dhe ka thënë se ishte fshehur pasi është frikësuar se mund ta vrasin.
“Arsyeja e vetme pse e bëj këtë, është se dikush po përpiqet të më vrasë. Jam në kontakt me shumë njerëz nga ‘nëntoka’ apo si të doni quani, dhe më duket se ndoshta i frikëson situata ime”, ka thënë Farrow.
Autoritetet australiane besojnë se manekinia ka bërë jetë të dyfishtë. Duke e shfrytëzuar statusin e saj si pjesë e botës së modës, ajo e ka bartur drogën në paketimet e kripërave për banjë. Hetuesit pohojnë se Farrow ka qenë truri i kësaj “ndërmarrjeje kriminale”, në të cilën kanë marrë pjesë së paku edhe shtatë persona të tjerë.
Me emrin artistik Simone Starr, Farrow u bë e njohur si modele për bikini dhe yll i revistave, ndërsa ka qenë tri herë në listën e femrave më seksi të revistës FHM. Ajo e ka provuar veten edhe si këngëtare dhe kompozitore.