Ish-kryeministri i Kosovës në Ekzil, Bujar Bukoshi, ka hedhur poshtë akuzat e njërit prej themeluesve të LPK-së, Ibrahim Kelmendi, për keqpërdorimin e fondit të 3-përqindëshit. Bukoshi, i cili tash është zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, thotë se për çështjet që kanë të bëjnë me këtë fond ka folur qe 15 vjet.
“Nuk ka gisht as Isa Mustafa, as unë në 3-përqindësh. Nuk ka kurrfarë abuzimesh. Jemi në gjendje ta dokumentojmë gjithmonë, edhe kaq. Këto të tjerat janë krejt llafe të kota, njerëzit nuk kanë punë të tjera”, ka thënë Bukoshi për “Tribuna Shqiptare”.
Sipas tij, nëse dikush ka fakte duhet t’i paraqesë, e jo të thotë vetëm fjalë.
Ndërkaq, sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se e gjithë kjo është një fushatë histerike e atyre që i ka kapur paniku se LDK-ja po reformohet dhe po sjell njerëz të ri.
Sipas tij, me këto çështje duhet të merren organet e drejtësisë.
Mirëpo, me akuza të reja ndaj Bukoshit dhe Mustafës për keqpërdorimin e mjeteve nga ky fond ka dalë edhe Musa Daka, themelues i LDK-së në SHBA.