Dhjetëra rekomandime sa i përket kornizës ligjore për transparencën në financimin e subjekte politike, po ashtu shumë rekomandime për vet subjektet politike, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si dhe për shoqërinë civile dhe mediat, kanë bërë Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), e të cilat janë dhënë gjatë debatit: “Ligji për financimin e partive politike dhe zbatimi i tij në praktikë”.
Gjatë këtij debati, u tha se ky ligj nuk zbatohet dhe se që nga paslufta e deri më tani subjektet politike asnjëherë nuk kanë pasur vullnet që të deklarojnë raportet e tyre financiare.
Gjithashtu u tha se KQZ-ja nuk ka auditor të brendshëm dhe se në të gjitha aspektet duhet të përforcojë kapacitetet, raporton Kosovapress.
Safete Hadërgjonaj, nga PDK, ka thënë se në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë edhe në aspektin e zbatimit të ligjit, KQZ-ja duhet të ketë, pos tjerash, edhe kapacitete të mjaftueshme njerëzore.
Ndërsa, sipas Ismet Beqirit, LDK, ligji i ka të caktuara disa gjëra, por partitë duhet t’i zbatojnë.
Alban Krasniqi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka pohuar që Ligji për financimin e partive politike lë shumë hapësira për keqpërdorime dhe ai duhet ndryshuar.
Ndër të tjera është thënë se mungon transparenca, si brenda subjekteve ashtu edhe jashtë tyre, pasi as vetë anëtarët e partisë nuk dinë për parat që disponon partia.
Raporti i Auditorit për vitin 2010, ka gjetur shumë shkelje. Aty thuhet se subjektet politike nuk kanë mbajtur kontabilitet të mirëfilltë, nuk kanë bërë kontroll të brendshëm financiar, pothuajse asnjë subjekt politik nuk ka staf profesional financiar të certifikuar për kontabilist, ndërsa të dhënat e bizneseve, që kanë dhënë donacione, nuk janë paraqitur fare.
Sipas ligjit, deri më 1 mars është dashur që financat e tyre t’i deklarojnë në KQZ, ndërsa kjo e fundit t’i publikojë në faqen zyrtare të saj.