Forca e Sigurisë së Kosovës synon që gjatë këtij viti të bëjë maksimumin për të qenë pjesë e institucioneve ndërkombëtare. Zv/ministri i FSK-së, Bejtush Gashi, thotë se në këtë drejtim janë bërë hapat e parë dhe FSK-ja do të përgatis planin strategjik të zhvillimit.
Forca e Sigurisë së Kosovës në objektivat e vitit 2012 ka përcaktuar edhe përpjekjet maksimale për t''u bërë pjesë e institucioneve ndërkombëtare.
Sipas Gashit në këtë proces jo të lehtë nevojitet edhe mbështetje legjislative–juridike dhe baza aktuale ligjore duhet të pësojë ndryshime. Qeveria ka nxjerr vendimin për rishikimin e sektorit të sigurisë përfshirë edhe FSK-në dhe bazuar në këtë vendim do të procedojë edhe FSK-ja.
“Mbështetur në vendimet që do të nxirren ne do të hartojmë planin strategjik të zhvillimit të FSK-së, janë formuar edhe grupet për hartimin e këtij plani dhe ky plan pastaj do t’i ofrohet qeverisë, e cila do të procedojë me të deri te organi legjislativ. Edhe në rrafshin legjislativ ka nevojë që ligjet ekzistuese të plotësohen dhe prej të cilave do të varet strukturimi dhe misionit që do të ketë FSK, përkatësisht ushtria e Kosovës. Në këtë drejtim ne kemi marr iniciativat, hapat e parë dhe presim edhe sinjalet nga bashkësia ndërkombëtare, sepse zhvillimi i FSK-së do të jetë një rrugë nëpërmjet të cilës do të bashkëpunohet drejtpërdrejt me NATO-n”, tha ai për Radio Kosovën.
Në prag të 13 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s ndaj caqeve serbe, Gashi vlerëson të domosdoshme praninë e NATO-s edhe në të ardhmen në Kosovë, por edhe në rajon.
E përfshirë në procesin e ngritjes së FSK-së, sipas Gashit, prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme edhe për ofrimin e përkrahjes për perspektivën e FSK-së e cila synon që të ardhmen të jetë anëtare dhe partnere në institucionet ndërkombëtare të sigurisë.