Kryetari i deritashëm i Degës së Aleancës Kosova e Re në Podujevë, Avni Ajeti, sot zyrtarisht ka kaluar në radhët e LDK-së. Ai thotë se është ndier i “thyer” kur ka parë që Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Ligjin për veteranët. Ky, thotë, se ka qenë një nga arsyet që e kanë shtyrë ta lë këtë parti, e cila në pushtetin qendror është në koalicion me PDK-në.
Tashmë ish-kryetari i Degës së AKR-së në Podujevë, ka thënë se ka edhe shumë arsye të tjera pse ka braktisur këtë subjekt politik, kurse beson se në LDK do ta gjejë hapësirën që i ka munguar në ish-partinë e tij.
Ajeti beson se me kalimin e tij në LDK këtë do ta bëjnë edhe anëtarët e tjerë të degës së AKR-së në Podujevë.
Ai njëherësh është edhe këshilltar i Kuvendit Komunal dhe prej sot i bashkohet Grupit të këshilltarëve të LDK-së.
Kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, i ka quajtur raportet në partinë e tij shumë të mira, edhe pas asaj që ndodhi në manifestimin e 22-vjetorit të kësaj dege.
“Dega e LDK-së në Podujevë është degë unike, është degë e fuqishme. Është e vërtetë se 2-3 individë të pakënaqur gjatë procesit zgjedhor në Forumin e Rinisë kanë mbetur të pakënaqur, për arsye se dy prej tyre e kanë kaluar moshën 30-vjeçare dhe ata nuk mund të jenë më anëtarë të Forumit, kurse një prej tyre është në prag”, ka thënë Veliu gjatë prezantimit të aderimit të kryetarit të degës së AKR-së në atë të LDK-së.