Thaçi krijon “qeverinë në hije” për Prishtinën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të jetë i interesuar që ta ndajë përgjegjësinë për veriun e vendit me Isa Mustafën, por kjo nuk e pengon atë që të planifikojë rrëzimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Burime të sigurta të “Kohës Ditore” kanë treguar se Thaçi, si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tashmë ka vendosur për themelimin e një “qeverie në hije” të PDK-së për Komunën e Prishtinës.
Burimi, një zyrtar i lartë i PDK-së, i është shmangur termit “qeveri në hije”, duke e quajtur atë “kabinet të qeverisjes së mirë për Prishtinën”, model ky që PDK-ja tashmë e ka përdorur në nivel qendror, në kohën kur ishte opozitë e Qeverisë LDK-AAK, në vitet 2004-2007.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të krijojë një Kabinet për Qeverisje të Mirë për Prishtinën, që do të veprojë me moton ‘Për Prishtinën evropiane’”, ka thënë burimi, duke shtuar se vendimi do të bëhet publik “shumë shpejt”, dhe se emrat e njerëzve që do të udhëheqin me këtë “qeveri në hije” për Prishtinën nuk dihen ende, ndërsa do të vendosen nga vetë Thaçi. “Vetëm Thaçi i di emrat”, ka thënë burimi.
Vetë kryeministri Thaçi, në një deklarim për gazetën, e ka konfirmuar vendimin, por nuk ka dashur të flasë për detajet e planit që për synim ka rrëzimin e pushtetit të LDK-së në Prishtinë.
“Do të krijojmë Kabinetin për Qeverisje të Mirë për Prishtinën, por emrat e njerëzve që do ta udhëheqin atë nuk janë vendosur ende”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se kjo do të bëhet “shumë shpejt”.