Një burim i lartë qeveritar në Shkup ka thënë se qarqe politike maqedonase përmes Lidhjes së Maqedonasve Myslimanë kishin tentuar të realizonin planin e përvetësimit si maqedonase të, Amsera Rekës, pesëvjeçares së mbijetuar nga orteku i borës që goditi dhe mori jetën e familjes së saj në fshatin Restelicë në Dragash të Kosovës.
“Plani ishte që Amsera të shfaqej në media dhe të deklarohej si maqedonase dhe më pas do të realizohej ndërhyrja nga Shkupi, që përmes formave zyrtare do të tërhiqej ajo në Maqedoni dhe të realizohej një fushatë mediale qeveritare. Por, si duket plani duket i dështuar pasi që familja Reka dhe vajza Amsera kanë refuzuar një gjë të tillë”, ka theksuar zyrtari i lartë i Qeverisë maqedonase për agjencinë e lajmeve INA.
Media proqeveritare menjëherë pas tragjedisë së familjes Reka, nxituan duke e shpallur si familje maqedonase me pasaporta maqedonase. Një pjesë e shoqatave joqeveritare dhe qytetarë maqedonas përmes mediave kërkonin që të merrnin nën kujdes Amserën, ndërsa kërkesat e tilla kanë pasuar edhe nga dy parti minore që janë pjesë e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE, ndër të cilat edhe Kongresi Botëror Maqedonas. Familja Reka e gjetur përballë këtyre presioneve dhe skenarëve ka refuzuar mbështetjen si nga Shkupi ashtu edhe nga Beogradi.