Ka përjetuar “ethet” e talent-shout më të madh boshnjak, për t’i shndërruar në sukses mëdyshjet e tij. “Edhe ti mund të jesh yll”-i i Bosnjë-Hercegovinës ia ka “rezervuar” vendin e tretë kosovarit 31-vjeçar me prejardhje nga Prizreni.
Shaqir Ahmeti, i cili në gjysmëfinalen e spektaklit kishte zgjedhur të këndonte në shqip “Tradhtaren” e Danit, e ka ndërmend të “lobojë” që muzika shqiptare të familjarizohet me popullin boshnjak. Këtij shteti ia ka “borxh” këngën që e ka siguruar nga triumfi, por karrierën prej muzikanti do ta vazhdojë në Kosovë.
“Jam patriot nga Kosova dhe karrierën time do ta vazhdoj në Kosovë”, ka thënë Ahmeti, në një bisedë për “Kohën Ditore”, derisa ka paralajmëruar një vizitë të shpejtë në Kosovë.
Megjithëse ende nuk e ka shijuar plotësisht suksesin në “Edhe ti mund të jesh yll”, Shaqiri menjëherë ka nisur të “projektojë” këngën e parë që do ta lansojë pas kësaj eksperience.
“Shumë shpejt do të incizoj një këngë interesante që besoj se do t’u pëlqejë edhe kosovarëve. Do të realizohet në gjuhën boshnjake, por mendoj se do ta përkthej edhe në gjuhën shqipe”, ka shtuar Ahmeti.