Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Enver Hoxhaj, priti një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Konfederatës së Zvicrës. Në takimin me drejtorin politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, Peter Maurer, ministri Hoxhaj ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, të cilat janë të shkëlqyeshme si dhe për mbështetjen që mund të japë Zvicra në zhvillimin ekonomik si dhe në shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës.
Ministri Enver Hoxhaj, falënderoi shtetin e zviceran për mbështetjen e madhe që i ka dhënë popullit të Kosovës në dekadat e shkuara si dhe për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. “Zvicra ka dhënë një kontribut të çmuar në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Për këtë do të jemi gjithmonë mirënjohës”, shtoi Hoxhaj.
Kurse drejtori politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, Peter Maurer, theksoi se mbështetjen e shtetit të tij për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Ai tha se Zvicra edhe këtë vit ka ndarë një fond shumë të madh për shtetet e Evropës Juglindore, prej të cilit do të përfitojë edhe Republika e Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka mirëpritur gatishmërinë e shtetit zviceran për të mbështetur projekte, të cilat do të ndihmojnë drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e shtetit zviceran, në mënyrë që kosovarët sa më parë të lëvizin pa viza në Zonën Shengen.