Vendet e Ballkanit ëndërrojnë për pasuri nafte

Depozitat e mundshme në brigjet e Shqipërisë e në Serbi bëjnë që të dy vendet të shpresojnë për një përfitim ekonomik të papritur. Vendet e Ballkanit kanë shpresa të mëdha për një zhvillim të naftës, që thonë se mund të ofrojë një derdhje aq të nevojshme parash e të pakësojë varësinë e rajonit nga importet.

Shqipëria po gëzohet në zbulimin e fundit të depozitave masive në ujrat territoriale të saj në Detin Adriatik një gjetje që mund të japë 1 miliard fuçi nafte. Serbia, ndërkohë, po bën plane që të nxjerrë deri në 400 milionë tonë naftë argjilore nga territori i saj, që mund të rezultojë në 600,000 tonë naftë.
Njoftimet kanë bërë që disa të ëndërrojnë për pasuri të reja për shtetet e Ballkanit, që janë përpjekur tradicionalisht me papunësinë e lartë e shanset e kufizuara ekonomike. "Do të isha shumë i lumtur nëse Shqipëria do të bëhej Kuvajti i Ballkanit," tha për SETimes Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjisë Eno Bozdo. Ai tha se Shqipëria është një nga pak vendet në rajon e në Evropë, ku janë zbuluar sasi të mëdha rezervash të naftës e gazit natyror gjatë shekullit të kaluar.
Zbulimi i Shqipërisë erdhi kur San Leon Energy, ndërmarrje me qendër në Dublin, nënshkroi një kontratë me Qeverinë për të siguruar eksplorim e shfrytëzim të naftës në det vitin e kaluar. Hartografimi tre-dimensional i ndërmarrjes sugjeroi disa shanse të mëdha nafte e gazi.
Sipas kontratës standarte që Qeveria përdor me ndërmarrjet e huaja që kërkojnë naftë në territorin shqiptar, shteti fiton 10 për qind të prodhimit të përgjithshëm e 50 për qind të fitimeve nga shitjet e naftës, nëse operacionet e shfrytëzimit janë të suksesshme.
Profesor Gjergji Foto në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave në Tiranë, është optimist rreth shanseve. "Mund të themi se territori i Shqipërisë ka shfaqje të bitumit, naftës e gazit natyror në sipërfaqe, Gjatë komunizmit, nuk kishim teknologjinë e duhur për të zbuluar burimet. Por tani, janë identifikuar rreth 400 milionë ton naftë", tha ai.
Mimi Kodheli, zëvendëskryetare e Komitetit të Ekonomisë e Financave të parlamentit, tha e Qeveria duhet të ishte më e përgjegjshme për burimet e rëndësisë strategjike si nafta. "Kuadri ligjor lë shumë hapësirë për investitorët e huaj. Për shembull, ata kanë të drejtën të përdorin burimet deri në 25 vjet" shtoi ajo.
Në Serbi, Oliver Duliç, ministër për mjedisin, minierat e planifikimit hapësinor, tha se nxjerrja e naftës argjilore në basenin e minierave në Aleksinaç është një vendim strategjik biznesi për të ardhmen e Serbisë që do të prodhojë 10për qind deri në 15për qind të nevojave të naftës së Serbisë.