Rrugët i prish kripa

Përdorimi i kripës për shkrirjen e borës dhe akullit në rrugët e asfaltuara ka dëmtuar shumë rrugë në Kosovë. Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se kështu u ndodh për çdo vit pasi përdorimi i kripës është i nevojshëm derisa rëra nuk po ka efekt. Njohësit e kësaj fushe fajësojnë kompanitë e angazhuara për mirëmbajtjen dimërore se nuk janë profesionale.

Me shkrirjen e borës, rreziku i ri për vozitësit e automjeteve në komunikacion po paraqiten gropat. Pothuajse në të gjitha rrugët e Kosovës asfalti po shihet i dëmtuar, madje edhe në ato që janë asfaltuar pak para se të binte borë.
Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se dëmtimi i rrugëve ka ardhur si pasojë e përdorimit të kripës për shkrirjen e akullit dhe acarit që ka mbretëruar këto ditë në vend. Ndërkaq, njohësit e kësaj fushe ua hedhin fajin kompanive joprofesionale që merren me mirëmbajtje dhe cilësisë së asfaltit, shkruan Express.
Lah Nitaj, zyrtar për informim në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se Drejtoria e Rrugëve është duke i identifikuar dhe për shkak të kushteve të tanishme atmosferike do t’i sanojë përkohësisht ato që të mos pësojnë qytetarët. “Ndërkaq, me përmirësimin e kohës, të gjitha rrugët rajonale dhe regjionale që evidentohen se janë dëmtuar, do të riparohen komplet”, thekson Nitaj.