Të dhënat e një raporti të projektit EULUP-it, të publikuara në media, në të cilën thuhet se toka bujqësore e Kosovës është e kontaminuar, janë të dhëna ende ta pamiratuara. Projekti që mban emrin "Mbështetje e Mëtutjeshme Shfrytëzimit të Tokës" (EULUP) është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian.
Alush Sadikaj nga EULUP, thotë se ende nuk kanë raport final rreth çështjes aq shumë të përfolur. “Raporti në fjalë ekziston, por akoma është në përpunim e sipër. Raporti nuk është final, ai është ende në diskutim mes palëve dhe më vonë do të shihet se a do të aprovohet apo jo. Të dhëna që kanë dalë në publik janë të një draft raporti, të cilat nuk janë të miratuara”, thekson Sadikaj, për Radion Evropa e Lirë.
Sadikaj shton se ende nuk dihet se kur do të publikohet raporti final, pasi që siç thotë ai, kjo varet nga palët e përfshira në këtë raport siç është zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, Ministritë etj.
Draft raporti i cili ishte publikuar në media vendore tregonte se toka e Kosovës është e kontaminuar. Ky raport i papublikuar ende nga projekti EULUP ka ngritur reagime të shumta në Kosovë. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës kishin thënë se ky raport ka shumë mangësi dhe e kishin quajtur raport kundërthënës e tendencioz.