Kushtetuesja s’ka gjyqtarë për ‘Hoçën e Prizrenin’

Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Hoçën e Madhe ka mbetur peng i mungesës së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Këto dy projektligje ishin dërguar në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje të përkrahur nga shoqëria civile dhe nga deputeti i PDK-së, njëherësh kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani.
Ishte konsideruar se miratimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës ishte në kundërshtim me Kushtetutën, pasi përbënte shkelje të parimeve të laicitetit dhe neutralitetit të besimeve fetare.

Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani, ka deklaruar për “Tribuna Shqiptare” se lënda e tyre vazhdon të qëndroj në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së gjyqtarëve të cilët do ta shqyrtonin lëndën.

“Ne jemi në pritje të shqyrtimit të këtyre dy ligjeve, mirëpo na është thënë se lënda një herë nuk mund të shqyrtohet për shkak të mungesës së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Hasani.

Deputeti Hasani beson se Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të tyre, pasi sipas tij, janë ofruar dokumente të mjaftueshme e të cilat vërtetojnë se miratimi i ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Hoçën e Madhe janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.