Gazprom anashkalon Maqedoninë dhe Shqipërinë, çfarë po “zihet” për rajonin!

Në faqen zyrtare të internetit të kompanisë ruse, më të madhen në Evropë për gas është publikuar harta e re, e cila tregon se ku do të kalojë korridori ndërkombëtar i tubacioneve të gasit që do ta furnizojë Evropën me gas nëpërmjet Italisë. Në këtë hartë duket qartë se Maqedonia dhe Shqipëria nuk janë përfshirë në këtë projekt gjigant, thënë ndryshe tubacionet do të kalojnë nëpërmjet Greqisë së veriut dhe do të arrijnë në Itali.

Drejtori ekzekutiv i Gazpromit, Alexey Miller në mbledhjen e mbajtur për rrjedhën e jugut më 20 dhjetor të vitit të kaluar ka folur për aktivitetet të cilat pritet të fillojnë shumë shpejt që ky projekt të bëhet realitet. “Kemi gjithçka që është e nevojshme që të shpejtohet fillimi i ndërtimit të rrjedhës së jugut. Kemi bazë rregullatore, interes të madh nga ana e pjesëmarrësve në këtë projekt, paratë e nevojshme si dhe evidentimin dhe porositë e gasit nëpërmjet kompanive të mëdha nga Deti i Zi. Interesi për projektin është mjaft i madh, kurse ne jemi të përgatitur që ta plasojmë atë”, tha Miller.
Sipas të dhënave zyrtare të Gazpromit, rrjedha e jugut do të fillojë nga Rusia, nën Detin e Zi ku një pjesë do të kalojë nëpër Rumani dhe Serbi drejt Kroacisë, kurse pjesa tjetër do të shkojë drejt Bullgarisë, do të anashkalojë Maqedoninë dhe do të kalojë nëpër Greqi, në fund do ta anashkalojë Shqipërinë në jug dhe do të ngjitet nëpërmjet detit Jon me Italinë.
Zyrtarisht ky projekt pritet të fillojë në dhjetor të vitit 2012 në të cilin janë paraparë të investohen miliarda dollarë për ta furnizuar Evropën me energji të re, raporton Zhurnal.
Megjithatë, është mjaft domethënëse dhe tregues shqetësues për Maqedoninë ky projekt. Çfarë planesh përgatiten për rajonin në të ardhmen, pasi u anashkalua Maqedonia dhe Shqipëria?
Të rikujtojmë se në hartën e parë të cilën e kishin publikuar drejtues të Gazpromit, ishte paraparë që tubacionet të kalojnë nëpër Maqedoni dhe Shqipëri që do të ishte distancë më e shkurtë dhe siguri më e madhe për rajonin.