Synimet e Zbogarit për Kosovën

Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar - i cili sot merr këtë funksion - ka thënë se tash është momenti i duhur për të arritur deri te përparimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se BE ka ndarë fonde të konsiderueshme për veriun e Kosovës.

“Anëtarët e BE-së duan t'ia japin Serbisë statusin e kandidat në fund të shkurtit, Serbia e dëshiron këtë status, dhe Kosova ka interes që ta gjej mënyrën për t’u paraqitur në takimet rajonale“, ka thënë Zbovar i cili do të kryej detyrë të dyfishtë në Kosovë – të përfaqësuesit special të BE-së dhe shefit të zyrës së BE-së që është nën juridiksionin e Përfaqësues së Lartë, Catherine Ashton.
"Prandaj, është shumë e rëndësishme për të përfituar nga ky moment, pasi më vonë gjërat do të shkojnë më vështirë dhe më ngadalë", thekson Zbogar, i cili mbrëmë - në takimin e mbyllur të Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian - e ka prezantuar programin e tij të punës.
Kur është fjala për veriun e Kosovës, Zbogar ka thënë se është e domosdoshme që qeveria në Prishtinë ta hartoj një program gjithëpërfshirës për këtë rajon, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian të tetorit të vitit të kaluar.
“Unë jam i gatshëm të ndihmoj për këtë. Mendoj se duhet të filluar me hapa të vegjël, me qëllim të krijimit të mirëbesimit”, u ka thënë Zbogar gazetarëve, duke shtuar se mbi të gjitha tash duhet “ulur tensionet”.
“Këtë vit kemi ndarë mjete të konsiderueshme për veriun e Kosovës, dhe këto do të mund të kontribuojnë në uljen e tensioneve, në mënyrë që ne mund të përqendrohemi në gjërat më të rëndësishme”, shton ai.
I pyetur për të komentuar referendumin e shpallur nga komunat paralele serbe në veri të Kosovës, Zbogar ka thënë se mesazhi i Beogradit për këtë çështje “është i qartë dhe i zëshëm”.
“Referendumi sigurisht që nuk ndihmon në uljen e tensioneve. Tash për tash duhet të përqendrohemi në projekte konstruktive”, përfundon Zbogar.
Agjencia sllovene STA ka thënë se Zbogar në programin e tij - që e ka prezantuar para PE-së - ka përmendur 10 synime për Kosovën, në mes të cilave është përparimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, bisedimet për liberalizimin e vizave, fillimi i bisedimeve për marrëveshjet tregtare, dialogu për sundimin e ligjit dhe hartimi i planeve për veriun e Kosovës.
Zbogar ka thënë se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdoj në shkurt, dhe se shpreson që të ketë përparime në këtë aspekt