Dikovic sulmon FDH-në

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjeneral-nënkoloneli Ljubisa Dikovic, ka thënë se janë “të pavërteta” akuzat e Fondit për të Drejtën Humanitare, për pjesëmarrjen e tij në krimet në Kosovë.

"Me pohimet e tilla thellohet urrejtja në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Duket sikur dikush kujdeset që plagët e shkaktuara në konflikt të mos shërohen më, por që vazhdimisht të jenë burim i destabilitetit e që dikush të përfitoj nga kjo”, ka thënë Dikovic për revistën “Odbrana”.
Dikovic ka thënë se akuzat se ai ka marrë pjesë në krime të luftës “janë të pavërteta” dhe se këto akuza janë “sulm ndaj Ushtrisë së Serbisë si një institucion të qëndrueshëm dhe të respektuar dhe sulm mbi shefin e Shtabit të Përgjithshëm”.
"Është paradoksal mendimi i FDH-së se jam për përgjegjës për vrasjen e pjesëtarëve të Ushtrisë në shtetin tim më 1999, e jo organizata terroriste që ka bërë sulme dhe ka vrarë njerëz”, thotë ai.
"Është shkruar se unë më 1998 kam urdhëruar që një ekskavator të merret nga Bardhi i Madh që të shitet në Rashkë. Ndërsa, atë vit brigada 37 e motorizuar nuk ka qenë fare në Kosovë, sepse është dërguar aty tek më 1999”.
FDH më 23 janar e ka akuzuar Dikovicin se ka marrë pjesë në krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së Kosovës, kur ishte komandat i brigadës 37 të motorizuar të këmbësorisë së ushtrisë serbe.
Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, ka thënë se “pret reagime të duhura të organeve shtetërore”, duke shtuar “Dikovic do të kërkoj mbrojtje në gjyq”.