Korporata Energjetike e Kosovës vazhdon ta importojë me çmime të shtrenjta rrymën. Çmimi 75 euro për MW, për ekspertët është humbje e madhe për Korporatën. Tenderin për furnizim prej 44 milionë eurosh, e kanë fituar tri kompani me seli në Beograd dhe një në Zvicër.
Drejtuesit e KEK`ut kanë vendosur që ta blejnë me çmime të shtrenjta rrymën. Çmime këto, të cilat, sipas ekspertëve, i shkaktojnë humbje të mëdha Korporatës Energjetike. KEK’u ka pranuar që megavatin ta blejë nga 75 euro. Tri kompani që do ta furnizojnë Kosovën me rrymë janë nga Beogradi dhe vetëm një nga Zvicra.
Kompanitë GEN 1, Rudnap group A.D, EGL doo janë me seli në Beograd dhe Energy Financing Team nga Zvicra.
Këto katër kompani do t`i rrinë gati Kosovës me rrymë prej muajit prill të këtij viti, e deri në muajin mars të vitit të ardhshëm. Për krejt këtë kohë, KEK’u i ka ndarë 44 milionë euro.
Në tenderin e Korporatës për furnizim me energji të moduluar dhe të pikut për këtë periudhë kishin konkurruar vetëm 4 kompani, të cilat edhe u shpërblyen me kontratë nga Korporata. Edhe pse adresat zyrtare të tri kompanive, në kontratë figurojnë se janë nga Beogradi dhe kjo nënkupton se rryma do të vijë nga Serbia.
Zëdhënësi i KEK’ut, Viktor Buzhala thotë për Express se kompanitë që kanë fituar tenderin nuk janë serbe, përves asaj të Rudnapit. Ai tregon se fituesit e tenderit për periudhën e cekur janë të licencuara nga ZRRE’ja konform akteve ligjore dhe rregulloreve në fuqi të Republikës së Kosovës. “GEN I nga Sllovenia, EFT nga Zvicra, Rudnap nga Serbia dhe EGL nga Zvicra”, theksoi Buzhala.
Zëdhënësi Buzhala thotë se për periudhën prill 2012- mars 2013, për të cilën është dhënë edhe ky tender, çmimi mesatar është rreth 75 euro për MW/h. Ai tregon se Korporata do të blejë energji gjatë gjithë kësaj periudhe, për të cilën është dhënë tenderi. “KEK’u do të blejë gjatë gjithë kohës së paraparë, sipas këtij tenderi, me një fleksibilitet sipas kontratave”, thotë Buzhala.
Zëdhënësi Buzhala thotë se për periudhën prill 2012- mars 2013, për të cilën është dhënë edhe ky tender, çmimi mesatar është rreth 75 euro për MW/h. Ai tregon se Korporata do të blejë energji gjatë gjithë kësaj periudhe, për të cilën është dhënë tenderi. “KEK’u do të blejë gjatë gjithë kohës së paraparë, sipas këtij tenderi, me një fleksibilitet sipas kontratave”, thotë Buzhala.
Për ish-ministrin e Energjisë dhe të Minierave, Et’hem Çeku, blerja e energjisë elektrike po i kushton shumë shtrenjtë Kosovës.
Sipas tij, edhe gjatë viteve të mëhershme, Korporata është detyruar çdoherë të blejë energji kryesisht nga shteti serb, për shkak të mungesës së energjisë në rajon. “Kompanitë serbe mbajnë monopolin në rajon. Për këtë, Korporata detyrohet të blejë energji shumë shtrenjtë nga këto kompani, që këtë e ka bërë çdoherë edhe viteve të mëhershme”, thotë Çeku, duke treguar se në rajon mungojnë 20 mijë MW energji elektrike.
Korporata Energjetike e Kosovës, gjatë këtij viti, do të shpenzojë 44 milionë euro nga buxheti vetjak për blerje të energjisë elektrike. Një shumë tjetër prej 13 milionë eurosh për import të energjisë elektrike i është ndarë nga Qeveria. Në anën tjetër, Korporata Energjetike e Kosovës, sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, po del se ka rrymë me bollëk.