Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, tw mwrkuren mbajti dëgjim publik lidhur me zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Në këtë dëgjim publik, në të cilin morën pjesë përfaqësues të bankave vendore e ndërkombëtare, përfaqësues nga kompanitë e sigurimeve dhe komuniteti i biznesit, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e KDI-së dhe të Odës Ekonomike Amerikane.
Kryesuesi, Lutfi Zharku, tha se grupi punues ka paraparë takime, dëgjime publike dhe vizita në teren, për të parë nga afër se cila është gjendja reale e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Komisioni, tha, Zharku, vlerëson se vërejtjet dhe propozimet do të jenë të dobishme për punën e Komisionit lidhur me monitorimin dhe zbatimin e Ligjit.
Përfaqësuesi i kompanisë së sigurimeve ”SIGKOS” Ibrahim Kastrati, vlerësoi se Ligji për mbrojtjen e konkurrencës është duke gjetur zbatim të kënaqshëm, por, sipas tij është e nevojshme që neni katër i ligjit të amendamentohet në konsultim edhe me Bankën Qendrore të Kosovës.
Vërejtje në zbatimin e Ligjit paraqiti edhe Fatbardh Makolli, nga kompania e sigurimeve “SIGURIA”. Ai vlerësoi se në nenin 37 të Ligjit mungon parimi i dyshkallësisë së gjykatave në shqyrtimin e lëndës në procedurë administrative.
Përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se për zbatimin e tij sa më të kënaqshëm duhet rritur kapacitetet e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK). Zeka me këtë rast, po ashtu vlerësoi se gjatë licencimit të kompanive për pajisje me arka fiskale, ka pasur devijime ligjore sidomos për sa i përket çmimit shumë të lartë të tyre.
Në favor të rritjes së kapaciteteve të AKK-së, u shpreh edhe përfaqësuesja e KDI-së, Merita Mustafa, e cila po ashtu njoftoi se KDI-ja në shtatorin e vitit të kaluar ka bërë një Raport lidhur me zbatimin e Ligjit, dhe rekomandimet lidhur me të i janë dërguar Komisionit.