Eksportuam 18.7 milionë, importuam 131.5 milionë euro

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) gjegjësisht Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare publikoi Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin janar 2012. Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar për muajin janar 2012 prej 112.7 milionë euro krahasuar me deficitin prej 109.8 milionë euro me Janarin e vitit 2011.

Eksporti në muajin janar 2012 kishte vlerën 18.7 milionë euro, ndërsa importi 131.5 milionë euro, është një rënie prej 17.9% për eksport si dhe prej 0.9% për import krahasuar me Janarin e vitit 2011. Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: 62.9% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 10.7% produktet minerale, 5.5% produktet bimore, 4.6% plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, 4.3% ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 3.9% tekstil dhe artikuj tekstili.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: 27.8% të importit e përbëjnë produktet minerale, 9.8% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 9.6% metale bazë dhe artikuj prej tyre, 8.8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 7.0% produktet bimore, 6.7% mjetet e transportit, 6.7% produkte të industrisë kimike etj”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Përqindja më e madhe e eksportit për muajin janar sipas vendeve ishte në: Itali (28.7%), Shqipëri (12.3%), Zvicër (9.4%), Maqedonia (6.8%), Kina (5.3%), Gjermani (4.5%).
Ndërsa sipas të dhënave përqindja më e madhe e importit është nga: Maqedonia (14.5%), Gjermania (11.6%), Serbia (9.1%), Italia (8.0%), Turqia (6.8%), Kina (6.5%) etj.
Bashkimi Evropian me (39.9%) merre pjesë në eksportin e vendit tonë, kurse në import me (36.7%).
Nga të dhënat e muajit janar 2012 më së shumti kemi eksport mallrash përmes pikave kufitare: Hanit të Elezit (56.3%), Vërmicë (18.9%), Mitrovicë (8.5%) etj. Ndërsa import më së shumti kemi përmes pikës kufitare të: Hanit të Elezit (28.3%), Merdarës (17.6%), Inter Europa (16.9%), Vërmicës (16.9%).