Hoteli Grand i shpëtoi riprivatizimit. Në momentet e fundit, kompania turke Limak duket se do të jap garanci në Agjencinë Kosovare të Privatizimit se do të investojë miliona euro në këtë ndërmarrje, të privatizuar me spin-off special pesë vjet më parë.
Anëtarë të Bordit të AKP-së i kanë thënë Gazetës Express se kjo kompani i ka dalë krah pronarit aktual, Zylqif Berisha, për ta shpëtuar Grandin, në të cilin ai kishte premtuar se do t’i investonte mbi 20 milionë euro, por që nuk ia kishte arritur, çka e shtyu AKP-në që të mendojë për ta ritenderuar këtë ndërmarrje.
“Zylqifi ka qenë duke e pritur një konfirmim nga Limaku, të cilët për shkaqe teknike nuk kanë mbërritur me kohë, që do të jetë bashkinvestues në të ardhmen në Hotelin Grand”, ka thënë anëtar i Bordit të AKP-së, në kushte anonimiteti për Express.