Japin “përgjegjësi” vetëm katër policë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka ndërmarrë masa ndëshkimore ndaj katër pjesëtarëve policorë, të cilët kanë përdorur forcë të tepruar mbi protestuesit në demonstratën e 14 janarit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në dy pikat kufitare, Merdar dhe Dheu i Bardhë.

Gazeta “Zëri”, ka mësuar se IPK ka ardhur në përfundim se njëri nga katër zyrtarët policorë ka kryer vepër penale, derisa tri rastet e tjera i ka dërguar për hetim te Njësiti i Standardeve Profesionale që vepron në kuadër të Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, drejtues të Njësitit të Standardeve Profesionale kanë konfirmuar për “Zërin” se deri në fund të kësaj jave do të përfundojnë hetimet ndaj zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se kanë ushtuar dhunë mbi qytetarët në demonstratën e 14 janarit në Merdar.
“IPK ka dërguar vetëm dy raste te Standardet Profesionale të Policisë, ndaj të cilave jemi në përfundim të hetimeve. Besoj se deri të premten do të përfundojë gjithçka rreth këtyre dy rasteve, dhe ditën e hënë do të dihet saktë vendimi që do të merret nga Standardet Profesionale”, ka thënë drejtori i këtyre standardeve, Isa Hyseni.
Ai nuk ka bërë të ditur emrat e këtyre dy zyrtarëve policorë që janë duke u hetuar, porse ka thënë se nuk bëhet fjalë për zyrtarë policorë me grada të larta. “Janë policë të rendit dhe nuk janë të graduar, të cilët po hetohen për veprimet e tyre në protestën e 14 janarit në pikën kufitare në Merdar”, ka thënë Hyseni.
E pikërisht për ngjarjet e 14 janarit, Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Kosovës i ka kërkuar kryeshefit të IPK-së, Fitim Shishani që deri më datën 13 mars (e martë) të dorëzojë zyrtarisht një raport të detajuar rreth përdorimit të forcës nga pjesëtarët e uniformuar policorë.
Vetë kryeshefi Shishani i ka konfirmuar gazetës se ka hartuar raportin dhe ai i është dorëzuar Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, por edhe ministrit të Rendit, Bajram Rexhepi.
“Ka përfunduar puna në hartimin e raportit, i cili flet për ngjarjet e 14 janarit në dy pikat kufi tare te Dheu i Bardhë dhe Merdar, dhe ai i është dorëzuar Komisionit për Punë të Brendshme, dhe ministrit Rexhepi”, ka thënë ai.
Shishani nuk ka dhënë detaje rreth përmbajtjes së raportit, por ka theksuar se është hartuar në mënyrën profesionale dhe të paanshme, derisa ka shprehur gatishmërinë që të raportojë para komisionit kurdo që një gjë e tillë i kërkohet.
Mirëpo, njëri nga anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se raporti është skandaloz, për faktin se nuk është i hartuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme, ashtu sikurse është zotuar kryeshefi Fitim Shishani.
“Raportin e kemi marrë, por ende nuk e kemi shqyrtuar në Komision. Nga ajo që pashë në pika të shkurtra vërtet ishte skandaloz dhe nuk pasqyron veprimet reale dhe dhunën që kanë ushtruar pjesëtarët e policisë në protestën e 14 janarit në dy pikat kufitare: Dheu i Bardhë dhe Merdar”, ka thënë njëri nga anëtarët e Komisionit.
Ndërkaq, Anton Çuni, anëtar i komisionit nga radhët e LDK-së, nuk ka dashur të komentojë përmbajtjen e raportit të IPK-së, i cili “mat” veprimet e zyrtarëve policorë. “E kam shfletuar në mënyrë sipërfaqësore, porse ditën e premte do të shqyrtohet nga komisioni dhe më pastaj do të dalim me një qëndrim”, ka thënë ai.
Ngjashëm është shprehur edhe kolegu i tij opozitar, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes, subjekti i të cilit ka organizuar protestën e 14 janarit, i cili nuk ka dashur të paragjykojë përmbajtjen e raportit të hartuar nga kryeshefi i IPK-së, Shishani.