Zëdhënësi i KFOR, Uwe Nowitzki, ka thënë se nuk ka asnjë marrëveshje për qarkullimin e lirë mes misioneve ndërkombëtare dhe serbëve në veri të Kosovës.
"Marrëveshja nuk ekziston dhe asnjë marrëveshje nuk ka pasur as në të kaluarën”, u ka thënë ai gazetarëve, duke demantuar deklaratën e deputetit ilegal të komunës paralele të Zvaçanit, Stevan Radovanovic.
"Për ne është e çuditshme se si një nëpunës nga veriu i Kosovës jep deklarata në media, e ajo deklaratë menjëherë publikohet dhe botohet pa vërtetimin e palës tjetër”, shton ai.
Nowitzki thotë se përfaqësuesit e KFOR-it janë larguar nga takimi i së premtes së kaluar, kur deputetët ilegalë të Zveçanit kërkonin të flasin vetëm për renditjen e lëvizjes së KFOR-it, përfshirë numrin e makinave të EULEX-it, e madje edhe planifikimin ditor për këtë.
"Kjo është e papranueshme. KFOR ka një mandat për të siguruar lirinë e pakushtëzuar të lëvizjes", tha ai, duke potencuar se KFOR-i nuk negocion e as nuk do të negociojë asgjë në lidhje me lirinë e lëvizjes.
KFOR-i i pranon protesta paqësore, por barrikadat janë kundër ligjit të përditshëm. Liria e lëvizjes, thotë zëdhënësi Nowitzki, është e nevojshme që EULEX-i ta përmbushë misionin që ka.
Por, zëdhënësi i KFOR-it nuk e kupton shqetësimin e serbëve në lidhje me ndërrimin e tabelave dhe dokumenteve personale të tyre me ato të shtetit të Kosovës.
"Nëse kjo është e vërtetë, atëherë është befasi për ne. Unë do të doja t'ju kujtoj se ekziston një marrëveshje e arritur mes Beogradit dhe Prishtinës, ndaj të cilit të gjithë mund të kenë qasje, ta themi në faqen zyrtare të internetit të qeverisë së Serbisë, ku qartë thuhet se ‘të gjithë pronarët e makinave që jetojnë në Kosovë përdorin tabelat RKS ose KS’. Vetëm këtë duhet ta lexoni”, porositi Nowitzki, transmeton B92. “Pse Qeveria e Serbisë e fut këtë marrëveshje në ueb-faqe nëse nuk pajtohet me këtë”.