Ahmeti: Qeveria do ta pranoj statusin special për veriun

Veprimet e kryenegociatores kosovare, Edita Tahirit, kanë lënë të habitur edhe zyrtarët më të lartë të Brukselit, thotë nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, pas kthimit të tij nga Brukseli.

“Zonja Edita Tahiri nuk i përgjigjet ftesave të Kuvendit për të marr pjesë në Komisionin për Punë të Jashtme, nuk na i dërgojnë marrëveshjet në origjinal. Të gjitha këto kanë qenë të çuditshme për Komisionin dhe PE-në”, ka thënë ai për Kosovapress, duket theksuar se në Bruksel janë habitur kur kanë kuptuar se Tahiri nuk ka dhënë asnjë shpjegim për qytetarët për marrëveshjet e fundit të arritura në dialogun e Kosovës me Serbinë.
Sipas Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje para zyrtarëve më të lartë evropianë ka argumentuar kundërshtimin për kompromiset dhe koncesioneve të fundit. Sipas tij, qëllimi i BE-së ka qenë që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, pasi që të njëjtit mendojnë se Serbia llogaritet ende si rrezik për destabilizimin e Ballkanit.

Duke folur për mundësinë e fillimit të negociatave politike për veriun e Kosovës, Ahmeti ka thënë se dialogu i zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë asnjëherë nuk ka qenë teknik dhe se sipas tij, ky dialog përditë po shpie drejt autonomisë dhe statusit special për veriun.
“Kjo qeveri e brishtë, e cila nuk e ka përkrahjen e shumicës së popullit, për shkak se është e krijuar edhe me votën e minoriteteve, nuk e ka përkrahjen as për dialog e as për negociata. Patjetër se kjo qeveri mund të shkojë dhe të pranojë çdo gjë. Në qoftë se e kanë pranuar fusnotën, që ne kemi thënë se do ta pranojnë, besoni se nesër do ta pranojnë edhe statusin e veriut. Prandaj, është e domosdoshme të punohet këtu dhe t’ju thuhet qytetarëve se kjo po vjen. Mund të ketë pauzë për shkak të zgjedhjeve në Serbi më 6 maj, por në vjeshtë paralajmërimet janë se do të diskutohet për veriun”, ka thënë ai.