KFOR-i duhet ta garantoj lirinë e lëvizjes dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, si dhe të ndihmoj në funksionimin normal të pikëkalimeve kufitare. Çështja e zgjedhjeve lokale nuk na intereson dhe nuk do të merremi me këtë, ka thënë komandanti i KFOR-it, Erhard Drews.
“Liria e lëvizjes në pjesën veriore të Kosovës është duke u përmirësuar. Megjithatë, derisa nuk do të ketë liri të plotë të lëvizjes për të gjithë njerëzit në veri të Kosovës, ne nuk mund të jenë të kënaqur”, thotë Drews për Blic, për të shtuar se largimi i barrikadave ndikon në jetët e njerëzve.
Gjenerali Drews shton se nuk ka informata për zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, dhe se e njëjta vlen për hetimet përkitazi me djegien e Jarinjës. Ndërsa, për rrugët ilegale drejtë Kosovës thotë se KFOR-i i vëzhgon ato dhe se i kontrollon veturat për ta parandaluar kontrabandën.
Kur është fjala te krimi organizuar, Drews potencon se kjo është çështje e Policisë së Kosovës dhe e EULEX-it. Ndërsa, në pyetjen e gazetarit se “organizatat ndërkombëtare kanë vlerësuar se Kosova është vendi kryesor i transitit të drogës”, gjenerali gjerman përgjigjet: “Më lejoni të them se unë personalisht nuk kam parë asnjë dëshmi se Kosova është stacioni më i madh i transitit të drogës”.
Sipas tij, problemi më i madh në Kosovë është i njëjtë me tërë rajonin: sfidat ekonomike dhe papunësia. Ndërsa, demanton gazetarin kur pyet nëse Kosova mund të rrezikohet nga organizatat e huaja terroriste, duke thënë se shoqëria kosovare është liberale në aspektin fetar dhe se nuk është e hapur ndaj grupeve radikale fetare.