Depozitat e marrin teposhtëzen

Sektori që i shpëtoi krizës financiare e ka marrë teposhtëzen në tre muajt e parë të këtij viti. Statistikat për këtë periudhë dëshmojnë se depozitat e kosovarëve kanë rënë për 13.6 milionë euro. Ekonomistët kosovarë thonë se kushtet jo të favorshme të bankave dhe kriza po ndikojnë që qytetarët të mos ia besojnë paratë këtij sektori.

Fillimi i këtij viti i ka gjetur kosovarët me më pak para në banka. Të dhënat e bankave komerciale për tremujorin e parë të këtij viti dëshmojnë se qytetarët kanë filluar të mos ia besojnë paratë sektorit që i shpëtoi krizës financiare.
Gjatë kësaj periudhe depozitat kanë rënë për 13.6 milionë euro që nga dhjetori i vitit të kaluar. Në total ato kapin shumën 2.086 miliardë euro.
Në anën tjetër, në fund të marsit janë rritur kreditë e lëshuara, të cilat krahasuar me dhjetor 2011 shënuan rritje për 19.2 milionë euro apo 1.1 për qind, që në total kapin shumën prej 1.695 miliardë eurosh, shkruan Express.
Këto janë të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e sheh si shqetësim trendin në rënie të depozitave nëpër banka. “Lëvizjet e potencuara më lart në shumën e kredive dhe depozitave gjatë kësaj periudhe janë normale. Analizuar trendin e depozitave në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shihet se depozitat në muajin mars 2011, krahasuar me muajin dhjetor 2010, kanë shënuar rënie për 19.0 milionë eurosh apo 1.0 për qind”, thotë Besnik Kada, zëdhënës i BQK-së.