Në Zubin-Potok dhe në Zveçan, strukturat paralele serbe do të konstituojnë kuvendet e do t’i zgjedhin kryetarët e komunave që kanë fituar gjatë zgjedhjeve lokale, që në këto komuna janë mbajtur bashkë me ato parlamentaret dhe presidencialet e Serbisë.
Përkundër kërcënimeve nga Prishtina dhe kundërshtimit të Beogradit që të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, serbët e komunave të sipërpërmendura e bënë të veten. Miodrag Andric, nënkryetari i tashëm ilegal i Zubin Potokut, thotë se “ndonëse nga Beogradi përmendet shpërbërja e kuvendeve komunale në Kosovë dhe krijimi i disa këshillave komunalë, ne jemi të sigurt se kjo nuk do të ndodhë dhe se nuk do të shkelet vullneti i popullit në Zveçan dhe Zubin Potok”.