Fusnota i tremb investitorët

Fusnota tek emri Kosova mund të ketë ndikime negative në tërheqjen e investimeve të huaja në vend. Kështu shprehen ekspertët e ekonomisë, vetëm pak ditë pas arritjes së marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në institutin “Riinvest”, tha se jostabiliteti politik gjithmonë do të ketë efekte negative tek investitorët e huaj. Sipas tij, rezoluta 1244 e OKB-së dhe çështja e fusnotës tani krijon hapësirë të madhe për dyshime për investimet e huaja. “Rrjedhimisht, kjo mund ta sjellë vendin në një pozitë të mosstabilitetit politik, dhe ky mosstabilitet që tani është duke ndodhur dhe ka prejardhje nga fusnota largon investitorët e huaj”, ka thënë Abdixhiku.
Edhe Musa Limani, ekspert i ekonomisë, ka thënë se në çdo aspekt fusnota do t’i sjellë më shumë dëme sesa të mira vendit. Ai ka thënë se edhe në raport me investitorët e huaj, kjo do të ketë ndikim negativ, shkruan Zëri.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), thotë se përmirësimi i imazhit të vendit në sytë e investitorëve të huaj, me fusnotë është më i vështirë.