Kanë vazhduar edhe të hënën “përshëndetjet dhe urimet“ për marrëveshjen e arritur të premten në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për përdorimin e emrit të Kosovës në nismat rajonale.
Pas diskutimeve shumica e ministrave të jashtëm kanë thënë se tashmë ka konsensus për t’ia dhënë Serbisë statusin e kandidatit, ndonëse janë disa vende të cilat kanë shfaqur ende disa ngurrime. Këta ministra janë shprehur se “Serbia tash i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe e ka merituar statusin e kandidatit ndërsa marrëveshja e së premtes për përfaqësimin rajonal të Kosovës i ka hequr edhe pengesat e fundit”, shkruan “Koha Ditore”.
Mësohet se i vetmi shtet i cili nuk e ka bërë të qartë qëndrimin ende ka qenë Gjermania, por pritet që ministri i këtij vendi, Guido Westerwelle, do të konfirmojë personalisht të martën në Bruksel se edhe Gjermania mbështet statusin e kandidatit për Serbinë dhe dy ditë më vonë në samitin e BE-së edhe formalisht Serbia të bëhet me status kandidati.
Por sa i përket Kosovës, edhe pse shumica e ministrave kanë bërë të qartë se ”në kohën kur Serbia të marrë statusin e kandidatit duhet dhënë diçka edhe për Kosovën” dhe në këtë frymë kanë përkrahur qëllimin e Komisionit Evropian për të përpiluar një studim fizibiliteti për Kosovën, të hënën nuk është arritur konsensusi i plotë mes shteteve anëtare për këtë gjë dhe pritet që diskutimet të vazhdojnë edhe sot, të martën.
Nga burimet diplomatike mësohet se Qiproja është kundër që Këshilli i BE-së të përkrahë ”studimin e fizibilitetit” për Kosovën, ndërkohë që Spanja do të mbështeste një gjë të tillë vetëm nëse kjo nuk do të thoshte se Kosova trajtohet si shtet nga BE-ja.
Rumania ka rezerva edhe ndaj studimit të fizibilitetit për Kosovën, por edhe ndaj statusit të kandidatit Serbisë. Rumania deri më tash është konsideruar ndër mbështetësit më të mëdhenj të Serbisë në BE, sidomos për faktin se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por tash ky shtet ka shfaqur pakënaqësi me mënyrën se si Serbia trajton pakicën vllahe në Serbi.
Diplomatët evropianë thonë se po punohet në drejtim që nga Serbia të merren premtime me shkrim se do të respektojë të drejtat e kësaj pakice dhe Rumania do të heqë rezervat ndaj dhënies së statusit të kandidatit Serbisë. Rumania mësohet se është shprehur edhe kundër formulimit në konkluzione të Këshillit, ku do të ”përshëndetej qëllimi i Komisionit Evropian për të nisur një studim fizibiliteti për Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit“.
Spanja ndërkaq nuk e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë një gjë të tillë, por ka thënë se ”do të mbështet çdo dokument i cili nuk nënkupton se Kosova trajtohet si shtet i pavarur“.
Në BE tashmë nuk thonë se “studimi i fizibilitetit“ është diçka e madhe, por thonë se ”ky do të jetë vetëm një studim që nuk do të paragjykojë asgjë“.
“Koha Ditore” ka pasur qasje në draftin e konkluzioneve, të cilat pritet të miratohen të martën dhe në to shkruan se “Këshilli mirëpret qëllimin e Komisionit Evropian për nisjen e studimit të fizibilitetit për MSA me Kosovën“. Në çfarë forme do të miratohen këto konkluzione dhe a do të miratohen fare, do të dihet të martën.