Gjykimi i Fatmir Limajt dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij, për krime lufte do të vazhdojë të martën, ndërsa mbrojtja e deputetit do të mundohet t’i shpallë të pavlefshme dëshmitë e “Dëshmitarit X” që janë kryesoret e këtij procesi.
Kështu ka deklaruar për gazetën “Epoka e Re”, avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj.
“Të martën(sot) në Gjykatën e Qarkut do të shqyrtohet çështja e pranueshmërisë së provave të dëshmitarit bashkëpunues të prokurorit, të ndjerit Agim Zogaj. Pala mbrojtëse e deputetit Limaj do t’i kundërshtojë kategorikisht këto dëshmi dhe do të kërkojë nga trupi gjykues të shpallen të pavlefshme”-ka thënë Rrecaj.
Avokati i deputetit ka deklaruar se këto dëshmi janë vetëm ngarkesë për lëndën.
Mbrojtja ka thënë se shënimet që ka lënë pas vetes Agim Zogaj, që përdoren si prova, në fakt i kanë shkruar katër persona.