Me marrëveshjen, Kosova më afër BE-së

Marrëveshja e arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale, në Shtetet e Bashkuara nga politika zyrtare është vlerësuar si një hap që do ta çojë Kosovën më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe shtimit të njohjeve të reja.
Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ka thënë se Washingtoni e ka mbështetur procesin që nga fillimi, i vetëdijshëm që është një zgjedhje e vështirë politike, por që shpie Kosovën më afër integrimit evropian dhe ndërkombëtar.
Shtypi ndërkaq ka dhënë raporte nga korrespondentët, duke sjellë deklarata nga Prishtina dhe Beogradi, por edhe qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Brukselit zyrtar.
Gazeta “The New York Times”, theksonte se marrëveshja në njërën anë i hapte rrugë Serbisë për marrjen edhe zyrtarisht të statusin e ‘kandidatit’, ndërkaq Kosovës marrëveshja i ‘siguronte’ studimin e fizibilitetit.
Edhe gazeta “Washington Post”, në një korrespondencë nga Brukseli theksonte se ‘kompromisi ishte i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe u pranua nga të dyja palët’ për të shpjeguar më tutje domethënien e fusnotës me dykuptimësinë e saj.
Megjithatë, analistë dhe ish diplomatë, njohës të zhvillimeve në Kosovë kanë pasur mendime kundërthënëse rreth fusnotës dhe marrëveshjes.
Derisa ish diplomati, James Hooper ka shprehur frikën se me marrëveshjen Kosova do të ngujohet dhe shndërrohet në një “shtet asterisk”, dhe bën krahasime me termin FYROM në të cilin është ngujuar Maqedonia për afro dy dekada, analisti dhe ish diplomati Daniel Serwer në një deklaratë thotë se "të dyja palët kanë përfituar nga marrëveshja".

Serwer thotë se hapi më i rëndësishëm i ardhshëm për Kosovën është të fitojë sa më shumë njohje dhe të angazhohet për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.