ZRRE propozon shtrenjtimin e rrymës për 7.6 %

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar që tarifat e energjisë elektrike të jenë për 7.6 për qind më të shtrenjta se tarifat aktuale. Kjo përqindje është dukshëm me e ulët se kërkesa e KEK-ut që tarifat të jenë më të larta për 23 për qind.

Është hera e parë në tre vjetët e fundit që ZRRE-ja ka propozuar ngritjen e tarifave. Duhet theksuar se ky është vetëm propozim i ZRRE-së për tarifat që do të aplikohen duke filluar prej datës 1 janar dhe se palët e interesit që nuk pajtohet më të mund t’i dorëzojnë komentet e tyre në rregullator. “ZRRE-ja ka parasysh se, bazuar në ndryshimet, barazimet dhe propozimet e ZRRE-së, tarifa mesatare për energji elektrike duhet të rritet për 7.6 për qind në mënyrë që KEK-u të mbledhë të hyra të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e arsyeshme të propozuara nga ZRRE-ja sipas këtij shqyrtimi tarifor”, thuhet në raportin konsultativ të publikuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Mirëpo,ky propozim mund të ndryshohet deri në vendimin final që pritet të merret në fund të muajit mars, shkruan Koha Ditore.
Një ndër faktorët që ka ndikuar në zvogëlimin e kërkesës së KEK-ut janë edhe importi dhe eksporti i energjisë elektrike.