Vetëvendosje ka akuzuar Radio Televizionin e Kosovës si të njëanshëm dhe tendencioz, ngase në edicionin e lajmeve qendrore (19:30) të datës 27 shkurt, sipas kësaj lëvizjeje, ka transmetuar një kronikë të pavërtetë dhe jo profesionale.
Lajmi “Lëvizja Vetëvendosje përmes rrjetit social ‘Facebook’ u ka bërë thirrje nxënësve që ta bojkotojnë mësimin dhe të marrin pjesë në protestën e sotme”, siç theksohet në reagimin e Vetëvendosjes, është tendencioz.
“Kronika në fjalë mundohet të paraqesë që Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar bojkotimin e mësimit nga shkollat e mesme në Prishtinë konkretisht në shkollën ‘Sami Frashëri’, për t’iu bashkangjitur demonstratës së djeshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje!”, theksohet në reagim.
Sipas Vetëvendosjes në asnjë mjet komunikimi zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ekziston asnjë thirrje për këtë çështje.
“Së dyti, ky lajm është i njëanshëm dhe merr parasysh vetëm një koment që është bërë në rrjetin virtual social ‘Facebook’ nga një qytetar që madje nuk është as anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Së treti, RTK nuk e pa të arsyeshme të marrë qëndrimin zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje para se ta transmetonte lajmin”, vlerëson Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje po ashtu bën të ditur se, për këtë çështje do të bëjë ankesë më shkrim në Komisionin e pavarur për media .