Komisionit për Reformën Zgjedhore i skadon mandati këtë të diel, përderisa ende nuk i ka kryer detyrat kryesore. Partitë nuk po gjejnë kompromis për listat dhe zonat zgjedhore.
Marrëveshja politike e arritur në prill të vitit të kaluar mes PDK-së, LDK-së dhe AKR-së dhe rezoluta e Kuvendit ka paraparë që deri më 22 prill të këtij viti të përfundojë reforma zgjedhore, shkruan “Express”.
Afati i përcaktuar për përfundimin e reformës zgjedhore pritet të skadojë pa rezultatet e parashikuara.
Por, partitë politike ende nuk janë marrë vesh se sa zona zgjedhore do të ketë Kosova, se si dhe me çfarë listash zgjedhore do të votohet – të hapura apo të mbyllura.
Kjo situatë ka shtyrë Shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar, që të ndërhyjë. Pas këtyre vonesave, Zyra e BE-së në Kosovë ka lëshuar një reagim dhe ka kërkuar që t`i zgjatet mandati Komisionit Zgjedhor për një kohë të kufizuar, në mënyrë që të kryhet reforma.
BE ka konstatuar se deri më tash nuk ka pasur kurrfarë përparimi substancial.
Kërkesa e BE-së për të vazhduar mandati i Komisionit është mirëpritur nga përgjegjësit për reformën zgjedhore.
Kërkesa e BE-së për të vazhduar mandati i Komisionit është mirëpritur nga përgjegjësit për reformën zgjedhore.
Anëtari i Komisionit nga radhët e LDK-së, Imri Ahmeti ka thënë se duhet që sa më shpejt të arrihet marrëveshja për zonat dhe listat zgjedhore.
“Nuk ka asgjë të keqe që kërkesa e BE-së për vazhdimin e mandatit të komisionit, pasi ne kemi përafruar punën. Por, ka mbetur pa u përmbyllur, janë dy çështje që ne si Komision nuk jemi pajtuar që janë zonat zgjedhore dhe listat zgjedhore”, ka thënë Ahmeti për Express.
Ai ka thënë se AAK ka propozuar numrin më të madh të zonave zgjedhore, derisa Vetëvendosje vetëm një. LDK dhe PDK ende nuk kanë dalë me qëndrimet e tyre.
“Ka pasur propozime të ndryshme prej një zone deri në njëqind zona zgjedhore”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, Ahmeti thotë se ende ka kohë për marrëveshje mes partive politike.
Por, ndryshe mendon anëtarja e Komisionit për reformën zgjedhore nga Vetëvendosje. Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se Komisioni ka dështuar në misionin që e ka pasur.
”Ky proces ka degraduar në masë të madhe. Puna dhe qasja e Komisionit dhe grupit punues deri më tani ka qenë në shpërputhje të plotë me seriozitetin e kërkuar për adresimin e problemeve që kemi me dhunimin e vazhdueshëm të votës së qytetarëve. Pra, deri më tani Komisioni ka dështuar në trajtimin që meriton procesi i ndryshimit të Ligjit të zgjedhjeve. Ka munguar transparenca, serioziteti dhe profesionalizmi”, ka thënë Haxhiu përmes postës elektronike, të cilën e ka përcjellë zëdhënësi Erzen Vraniqi.
Ndryshe, kërkesa për reformë zgjedhore është adresuar nga zyrtarët evropianë, të cilët kanë kërkuar që të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike. Në prill të vitit të kaluar, shumica e partive politike ishin marrë vesh për nisjen e një reforme zgjedhore, e cila është paraparë të përfundojë këtë të diel.
Me gjithë marrëveshjen për zgjedhje parlamentare për vitin e ardhshëm, Kryeministri Thaçi ka përmendur fundin e vitit 2014, kur partitë do të ballafaqohen në fushatë për të marrë pushtetin.