‘Hoça’ dhe ‘Prizreni’ dërgohen në Kushtetuese

Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani, pas miratimit të Ligjeve për Hoçën e Madhe dhe Qendrën Historike të Prizrenit, ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, se edhe pse Komisioni ka punuar intensivisht për largimin e pjesëve diskriminuese nga këto dy ligje, sipas tij, një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare ka kërkuar që mos të miratohen amendamentet e Komisionit.

 “Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që pjesë e Këshillit për Hoçën e Madhe dhe Qendrën Historike të Prizrenit të jenë edhe bashkësitë fetare myslimane, Kisha Katolike dhe nga Kisha Ortodokse, të cilët do të kenë edhe të drejtë vetoje. Më këtë është shkelur neni 8 i Kushtetutës së Kosovës, ku Kosova është shtet laik dhe neni 9 i Kushtetutës ku Kosova është mbi të drejtat e bashkësive fetare dhe kulturore”, ka thënë Hasani.
Ai ka thënë se brenda tetë ditësh do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim, nëse me miratimin e këtyre ligjeve është shkelur Kushtetuta e Kosovës.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu i cila ka qenë anëtar i Komisionit që ka bërë amandamentimin e këtyre ligjeve, nuk e ka përjashtuar mundësinë që për mënyrën se si u votuan këto dy ligje, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Mirëpo, para se të vendosim për dërgimin në Kushtetuese, do ta analizojnë mirë këtë çështje për të parë nëse ka bazë për ta dërguar në Gjykatë, pasi siç ka thënë ai edhe Gjykata Kushtetuese po i nënshtrohet presioneve dhe po vendos politikisht”, ka thënë Aliu.