Ambasada e Shteteve të Bashkuara është e kënaqur që Kuvendi i Kosovës sot ndërmori veprim për ta lëvizur shtetin më afër qëllimit të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.
“Miratimi i katër ligjeve të mbetura të kërkuara nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin (PGjS) dhe të pranuara si obligime nga ana e Kuvendit në kohën e pavarësisë, paraqet një kthesë të rëndësishme. Aq më tepër, ligjet për Prizrenin, Hoçën e Madhe, Procedurat e Admimistratës Tatimore, dhe për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike janë vetvetiu të mirë për Kosovën dhe kjo ishte gjëja e duhur për të bërë”, thuhet në një komunikatë të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës.
“Ne e urojmë Kuvendin Kombëtar dhe udhëheqjen e tij për angazhimin dhe diskutimin konstruktiv gjatë seancës së sotme. Ne i drejtojmë lëvdata Qeverisë së Kosovës për përkushtimin e saj në propozimin e legjislacionit që i sjellë dobi popullit të Kosovës dhe që i përmbushë zotimet ndërkombëtare të shtetit, dhe për pasjen e kurajos që t’i realizojë të gjitha këto masa. Ne i shprehim mirënjohje të gjithë atyre që punuan sot për të vënë interesin e Kosovës të parin”.
“Ne poashtu i shprehim mirënjohje Kuvendit për miratimin e Kodit të ri Penal të Kosovës. Kodi vendosë për Kosovën një drejtësi dhe kornizë për zbatimin e ligjit të shekullit të 21-të dhe kështu hapë rrugën për një sundim më të madh të ligjit dhe avancimin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës. Shtetet e Bashkuara zotohen të vazhdojnë mbështetjen gjersa Kosova forcon institucionet kombëtare dhe punon drejt stabilitetit dhe prosperitetit të ardhshëm për të gjithë njerëzit e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten ligjin për Hoçën e Madhe dhe Qendrën e Prizrenit pas shumë kundërshtimeve dhe pakënaqësive të opozitës, por edhe të disa deputetëve të pozitës.