KEK-u i bindet me “zor” OSHP-së

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka shpeshtuar urdhëresat për anulimin e aktiviteteve të prokurimit të Korporatës Energjetike të Kosovës. Por me gjithë vërejtjet e OSHP-së, Zyra e prokurimit e KEK-ut ndërkohë që respekton një vendim, në tjetrin sërish bën shkelje ligjore të konstatuara nga gjykata e tenderëve.

Zyrtarët e KEK-ut mohojnë një gjë të tillë. Sipas tyre, KEK-u respekton çdo vendim të OSHP-së për aktivitetet e saja të prokurimit. “KEK-u ka respektuar vendimin e OSHP-së dhe e respekton secilin vendim që e dërgon ky organ në përputhje të plotë me Ligjin për prokurimin publik“, tha Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut.
Një ndër aktivitetet e fundit të prokurimit të kësaj korporate për “Shërbime ndihmëse në largimin e djerrinës”, hedh poshtë deklaratat e Buzhalës. Lidhur me këtë prokurim, OSHP-ja ka marrë tri vendime. Vetëm të fundit KEK-u ka vendosur ta zbatojë. Kjo korporatë është dashur që të nënshkruajë kontratë me kompaninë që ka ofruar çmime më të lirë për punët në largimin e djerrinës në vlerë prej rreth 180 mijë eurosh. “Organi Shqyrtues i Prokurimit konstaton se autoriteti kontraktues (KEK-u) nuk e ka respektuar vendimin e OSHP-së, të datës 21 shkurt 2012, dhe se ky anulim i këtij aktiviteti të prokurimit pas rivlerësimit të këtij autoriteti kontraktues është në kundërshtim të plotë me nenin 26 të Ligjit të prokurimit publik”, thuhet në vendimin e tretë të OSHP-së për të njëjtin aktivitet të prokurimit, shkruna Koha Ditore.
OSHP-ja ka kërcënuar me gjobë dhe ndëshkim zyrtarët e prokurimit. Në vendimin e parë OSHP-ja kishte kërkuar nga KEK-u të rivlerësojë ofertat, pasi ofertuesi më i lirë ishte ankuar se i është bërë e padrejtë. Edhe në vendimin e dytë kishte kërkuar të njëjtën procedurë me kërcënime për dënime, por KEK-u në kundërshtim me vendimin e OSHP-së kishte anuluar të gjithë procesin. Tek në vendimin e tretë KEK-u ka kthyer në proces të rivlerësimit dhe ka përzgjedhur kompaninë më të lirë për të kryer shërbimet e kërkuara.
Javën e kaluar ky organ ka urdhëruar KEK-un që të kthejë në rivlerësim edhe aktivitetin e prokurimit për “Furnizim me shirit gome”, pasi edhe për këtë tender nuk kishte zgjedhur kompaninë më të lirë.
Këto ditë KEK-u prapë ka shpallur fitues të tenderit, me kriterin çmimin më të ulët, kompaninë që ka qenë e dyta në lotin e parë të tenderit, dhe e treta në lotin e dytë të tenderit, për nga çmimi më i ulët. Kompania “Intering” është përzgjedhur nga KEK-u në tenderin që peshon 12 milionë, për punën në dy lote: “Riparimin kapital të kaldajës, Blloku A-3 në TC ‘Kosova A’”.