Aktakuzë kundër Haraqisë dhe Beqirit

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë kundër ish ministrave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, nën dyshimin se ata kanë shpërdoruar detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Astrit Haraqija, në kohën kur e ushtronte funksionin e ministrit, ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339, par. 3, lidhur me par.1 të Kodit Penal të Kosovës, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit
Vepra e parë ka të bëjë me lidhje të kundërligjshme të kontratës me kompaninë “Concordia Pictures”, me ç’rast i pandehuri Haraqija, duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe duke tejkaluar autorizimet, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 188 mijë eurove. Ndërkaq, vepra e dytë penale ka të bëjë gjithashtu me lidhje të kundërligjshme të kontratës me kompaninë “Morina Films”, me ç’rast i pandehuri Haraqija, sërish duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe duke tejkaluar autorizimet, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 100 mijë eurove.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Valton Beqiri ngarkohet për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339 par. 3 lidhur me par.1 të KPK-së. I pandehuri, në kohën derisa ushtronte funksionin e ministrit, ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke tejkaluar autorizimet edhe pse ka pasur dijeni se kontrata që kishte lidhur ministri i mëparshëm Haraqija, ishte e kundërligjshme,. Ai ka lidhur aneks-kontratën me kompaninë “Morina Films”, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës me vlerën prej 100 mijë eurove.
Me të njëjtën akt-aktakuzë për kryerjen e veprës penale të mashtrimit në detyrë nga neni 341 par. 3 lidhur me par 1 të KPK-së, Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ngarkoi edhe pronarët e dy kompanive të lartcekura, të pandehurit Nehat Fejzën dhe Armond Morinën.