Gallup: Kosova mbështet lidershipin amerikan

Edhe pse imazhi i udhëheqjes amerikane po tregon disa plasaritje në vitin e tretë të presidencës së Barack Obamas, ai mbetet më pozitiv se i viteve të fundit të administratës Bush, bën të ditur sondazhi më i ri i Institutit të Hulumtimeve - Gallup.

Në 136 shtete, miratimi mesatar i lidershipit amerikan në vitin 2011 ka qëndruar në 46 për qind – relativisht i pandryshuar nga mesatarja prej 47 për qind në 116 vende, më 2010, raporton Radio Evropa e Lirë.
Pas dy vjetësh me radhë të miratimit në 80 për qind, mbështetja amerikane në Afrikë ka rënë në mesataren prej 74 për qind gjatë 2011-ës.
Në Amerikë, miratimi i punës së lidershipit është bërë me vlerësime të larta kur Obama ka marrë detyrën, por që nga ajo kohë, ato kanë rënë.
Edhe pse rëniet nuk i kanë fshirë plotësisht rritjet, trendi duket të lëvizë në këtë drejtim. Mesatarja e miratimit ka rënë në 40 për qind në 2011-ën, nga 46 për qind sa ka qenë më 2010.
Sipas Gallupit, miratimi ka rënë dukeshim për të dytin vit me radhë në shumë vende të Amerikës Latine dhe të Karaibeve, të cilat janë anketuar.
Sa i përket Evropës, miratimi mesatar i lidershipit amerikan ka qenë dy herë më i lartë në 2011-ën sesa në vitet e fundit të administratës së Bushit, por trendi, sipas Gallupit, po lëviz në drejtim negativ.
Mesatarja prej 42 për qind në 37 vende të anketuara ka miratuar udhëheqësinë e SHBA-së vitin e kaluar, por që është më pak se 47 për qind në vitin 2009.
Raporti thotë Shtetet e Bashkuara ruajnë mbështetjen e shumicës në tetë vende evropiane. Nga to prin Kosova me 90 për qind, për t’u pasuar nga Shqipëria, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Maqedonia, Hungaria dhe Lituania.
Megjithatë, vlerësimi për to ka rënë në vendet si Franca, Gjermania, Spanja dhe Suedia. Në Francë dhe në Spanjë, miratimi ka rënë nën nivelin e shumicës.
Vlerësimet, sipas Gallupit, nuk ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme në gjysmën e 37 vendeve të anketuara, çfarë mund të jetë indikator pozitiv, marrë parasysh rëniet e vlerësimeve në disa vende kryesore dhe paqëndrueshmërinë e situatës ekonomike në Evropë dhe SHBA.
Derisa administrata e Obamas ka zhvendosur fokusin e politikës së saj të jashtme në Azi gjatë 2011-ës, sondazhi i Gallupit ka gjetur se miratimi i lidershipit amerikan në rajon ka mbetur në përgjithësi stabil ndërmjet 2010-ës dhe 2011-ës. Mesatarja prej 39 për qind më 2011 ka qenë më e lartë se çdo vlerësim gjatë administratës së Bushit.
Rezultatet janë bazuar në intervista ballë për ballë ose telefonike me afro njëmijë të rritur, nga mosha 15 vjeç e më lart, të kryera gjatë vitit 2010 në 116 vende dhe gjatë 2011-ës në 136 vende.