Hasan Abazi është liruar të premten nga paraburgimi pasi që është bërë pagesa prej 20.000 euro në gjykatën e Vranjes. Abazi ka kaluar kufirin serb dhe është rrugës për në shtëpi, lajmërojnë familjarët.
Kryesindikalisti i Metalistëve, Hasan Abazi është liruar nga paraburgimi pasi që familja ka paguar kaucion tek autoritetet në Vranje, njofton JnK.
“Babai im, Hasan Abazi është liruar pas pagesës së kaucionit prej 20.000 eurove që i kemi deponuar nga familja në gjykatën e Vranjes,” tha Haki Abazi, i biri i Hasanit.
Abazi ishte arrestuar nga policia kufitare kah fundi i marsit i cili akuzohej për "krime kundër Kushtetutës dhe sigurisë së Republikës së Serbisë", sipas nenit 315 të Kodit Penal të Serbisë.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë akuzuar qeverinë e Serbisë për arrestimin e Abazit për të cilin kanë thënë se është arrestim politik dhe kanë kërkuar lirimin e tij.
Arrestimi vjen pak kohë pasi Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje mbi lirinë e lëvizjes, që iu mundësonte shqiptarëve të Kosovës udhëtonin për në Serbi. Marrëveshja hyri në fuqi në dhjetor 2011, dhe ishte një nga parakushtet e BE-së për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë.