Kalojnë ligjet për Hoçën dhe Qendrën e Prizrenit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për Hoçën e Madhe pas shumë kundërshtimeve dhe pakënaqësive të deputetëve të opozitës.

Shumica e amendamenteve të propozuara nga Komisioni funksional nuk kanë kaluar derisa qeveria është tërhequr nga propozimet e saja të fundit, duke i kthyer në funksion ato të fillimit, njofton Koha.
Ligji në formën siç ka kaluar për opozitën por edhe për disa deputetë të pozitës është antikushtetues.
Vazhdimisht vërejtje kanë pasur anëtarët e Komisionit por që ato nuk u morën parasysh dhe gjatë shqyrtimit të ligjit dhe të amendamenteve u ngriten shqetësime nga deputetet të cilët kishin amendamentet, ku pas secilit në kllapa ishte shkruar se si duhet votuar, për dhe kundër.
Kjo u quajt ofenduese dhe u kërkua që të dihet autori i saj. Ndërkohë deputetet e lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar seancën në shenjë revolte ndaj miratimit të këtij ligji, të cilin e quajtën totalisht antikushtetues dhe të keq.
Ndërkohë ka kaluar edhe ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, që është kundërshtuar po ashtu nga opozita por edhe nga deputetë të pozitës.
Po ashtu amendamenti i Komisionit Funksional që ka të bëjë me përbërjen e Këshillit nuk kaloi dhe u miratua ai i qeverisë.
Deputetët kanë votuar edhe Kodin Penal të Kosovës për të cilin po ashtu pati reagime, posaçërisht lidhur me amendamentin e pestë, i cili ka të bëjë me burimet e medieve. Ndërkaq në fillim të seancës, partitë opozitare, kanë reaguar për ndërprerjen e transmetimit të seancës së djeshme plenare pas fjalimit të kryeministrit duke e quajtur këtë censurë.