Hoxhaj: Është esenciale njohja nga ‘pesëshja’ e BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka vlerësuar shumë të rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e BE-së dhe të rajonit të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Kosova Thërret”, e cila është zhvilluar të premten në Prishtinë.

 Në një fjalim të mbajtur para përfaqësuesve të këtyre shteteve, (Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinsë), të pranishëm në këtë konferencë, ministri Hoxhaj ka theksuar domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e plotë që këto shtete të lëvizin drejt një vendimi të tillë afirmativ për Kosovën, por edhe mbarë rajonin.
Ministri Hoxhaj ka përgëzuar organizatorët dhe mbështetësit e kësaj konference, në veçanti për përpilimin dhe botimin e analizave shumë të rëndësishme për relacionin ndërmjet Kosovës dhe këtyre shteteve.
“Mbi të gjitha, ky publikim ndriçon arsyet e vërteta pse këto shtete ende nuk iu kanë bashkuar 23 shteteve të BE-së dhe 89 shteteve të botës për të njohur realitetin e ri gjeopolitik në Ballkan. Këto të dhëna paraqesin një mundësi të mirë për institucionet e Kosovës për të krijuar një pasqyrë më të plotë për hezitimin katërvjeçar. Në të janë përfshirë edhe Serbia dhe Bosnja, që pa dyshim se paraqesin një sfidë për Kosovën në kontekstin rajonal”, ka thënë ministri Hoxhaj, duke shtuar se ky publikim do të shërbej si një udhërrëfyes për aktivitetet e institucioneve në përpjekje për të bindur këto shtete që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Lidhur me hezitimin e pesëshes evropiane për t’ju bashkuar 23 shteteve të BE-së për të njohur Kosovën, Hoxhaj ka thënë se nuk kemi të bëjmë me një bllok kundër pavarësisë së Kosovës, ngase çdo shtet ka arsyet e veta për mosnjohje. Por ai ka thënë se qartësia e perspektivës evropiane të Kosovës varet shumë nga vendimet që këto pesë shtete do të marrin në muajt ardhshëm. “Prandaj, njohja e Kosovës nga Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro janë esenciale për integrimin jo vetëm të Kosovës, por edhe shteteve të mbetura të Ballkanit në Bashkimin Evropian”.