Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka nisur procesin e ndryshimeve të statutit të saj, sipas disa zyrtarëve të saj, nuk është dashur të djersitet shumë për t’i propozuar rekomandimet për ndryshimin e statutit.
Sipas Koha Ditore, të pakënaqurit brenda kësaj partie kanë gjetur se propozimet për ndryshimin e statutit janë plagjiat nga statuti i Partisë Demokratike të presidentit të Serbisë, Boris, Tadic.
Gazeta ka siguruar një dokument në të cilin anëtarë të LDK-së kanë bërë krahasime të statutit të LDK-së dhe statutit të partisë së Tadicit. Në krahasimin e bërë del se neni 8, 13, 15, 17, 19, 26, dhe 51 të cilat nene rregullojnë detyrat dhe përgjegjësitë e kryetarit të partisë janë marrë nga statuti i partisë së presidentit Tadic.
Në dokumentin krahasues thuhet se “nene të tëra të propozimstatutit të LDK-së që është promovuar nga Isa Mustafa dhe ekipi i tij për hartimin e statutit të ri, në xhiron e takimeve me degët gjatë dhjetëditëshit të kaluar, janë marrë nga statuti i partisë së Tadicit.
Këtu shquhen posaçërisht nenet 8, 13, 15, 17, 19, 26 dhe 51, të cilat rregullojnë kryesisht të drejtat dhe përgjegjësitë e anëtarit të LDK-së, përgjegjësitë e kryetarit të LDK-së, si dhe definojnë listën e rregulloreve të punës që duhet të nxjerrin organet e partisë”.