NATO po i kontribuon zgjidhjes politike në Kosovë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka deklaruar të enjten në Bruksel, se Aleanca Veri-atlantike politikisht e ka vazhduar mbështetjen e dialogut Beograd – Prishtinë, nën ombrellën e Bashkimit Evropian, që sipas tij është e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza.

Në fjalimin e tij para gazetarëve në Bruksel, sipas RFE, shefi i NATO-s ka theksuar se Kosova dhe Serbia, duhet të gjejnë zgjidhje të përhershme për shumë çështje të tjera të rëndësishme dhe të kontribuojnë më procesin e pajtimit dhe të normalizimit në rajon.
Rasmussen ka thënë se trupat e NATO-s e kanë ruajtur sigurinë dhe mbrojtjen për të gjithë njerëzit në Kosovë, me kujdes, me vendosmëri dhe në mënyrë të paanshme, dhe se KFOR-i ndihmon në forcimin e paqes dhe të zgjidhjes politike për Kosovën, “duke vepruar neutral ndaj statusit”.
Shefi i Aleancës Veri-atlantike ka thënë se pajtohet plotësisht me deklaratën e kryesuesit të Komitetit ushtarak të NATO-s, Knud Bartels, i cili ditë më parë ka thënë se NATO-ja po përpiqet të krijoj hapësirë për zgjidhje politike në veriun e Kosovës”.